97 ditë luftë në Ukrainë, ja si është situata

*

Udhëheqësit e BE-së kanë vendosur për një embargo të pjesshme ndaj naftës ruse pas bisedimeve në samitin e radhës në Bruksel. Sanksionet do të ndikojnë menjëherë në 75% të importeve të naftës ruse me qëllim që të ndalojnë 90% të të gjithë naftës ruse të importuar në Europë deri në fund të këtij viti.

*

Paketa e fundit e sanksioneve përfshin gjithashtu heqjen e aksesit në pagesat Sëift për bankën më të madhe të Rusisë, Sberbank; ndalimi i tre transmetuesve të tjerë shtetërorë rusë dhe sanksione të mëtejshme kundër “individëve përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë”.

*

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel adresoi spekulimet për përçarje brenda BE-së në ditët përpara marrëveshjes. “Në orët e fundit dhe ditët e fundit ka pasur spekulime për mungesë të unitetit europian,” iu tha ai gazetarëve. “Ne nuk i nënvlerësojmë vështirësitë. Ne e dimë se na duheshin disa javë para se të ishim në gjendje të merrnim një vendim.”

*

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ngriti shqetësimin e tij në lidhje me vonesën për vendosjen e sanksioneve më të rënda nga liderët e BE-së kundër Vladimir Putin. Sipas tij, pauza në marrëveshjen për sanksionet e reja në Europë ka qenë shumë e gjatë.

*

Këshilli Europian shtoi se është gati t’i japë Ukrainës 9 miliardë euro për të ndihmuar në rindërtimin e saj të pasluftës. Këshilli do të “vazhdojë të ndihmojë Ukrainën me nevojat e saj të menjëhershme për likuiditet, së bashku me G7”. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen paralajmëroi se Ukrainës i duheshin 5 miliardë euro në muaj vetëm për të ruajtur shërbimet bazë dhe “për t’i dhënë Ukrainës një shans të denjë për t’u ngritur nga hiri”.

*

Zelenskiy pretendon se Rusia po bllokon eksportin e 22 milionë tonë drithëra nga portet e Ukrainës dhe paralajmëroi se kjo përbën një kërcënim për urinë. “Bllokada ruse e eksporteve tona po destabilizon situatën në shkallë globale”, tha ai në fjalimin e tij të fundit. Zelenskiy shtoi se forcat ruse “kanë vjedhur tashmë të paktën gjysmë milioni ton drithë” dhe “tani po kërkojnë mënyra për ta shitur atë ilegalisht”.

*

Situata në Donbas mbetet “jashtëzakonisht e vështirë”, -tha Zelenskiy, duke shtuar se trupat ruse bombarduan përsëri Kharkiv të hënën. 

*

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se SHBA-ja nuk do ta furnizojë Ukrainën me raketa që mund të arrijnë Rusinë.

*

Franca po planifikon të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Ministrja e Jashtme Catherine Colonna tha se Franca do të “vazhdojë të përforcojë dërgesat e armëve” gjatë vizitës në Kiev të hënën.

*

Rusia do të ndalojë furnizimin me gaz për Holandën që nga nesër pas refuzimit të pagesës në rubla. Rreth 44% e përdorimit të energjisë holandeze bazohet në gaz, por vetëm rreth 15% e gazit holandez vjen nga Rusia, sipas shifrave zyrtare.

Burimi: The Guardian

Read Previous

Rrëfimi i mësueses ukrainase, kaloi 65 ditë me foshnjën 6 muajshe në fabrikën e çelikut

Read Next

Çfarë duhet të bëni, nëse ju pickon bleta ose grerëza?