Shkencëtarët përdorën për herë të parë Inteligjencën Artificiale për të krijuar viruse të reja
Me rënien e diktaturës, të motivuar nga liria e rifituar, shumë shqiptarë iu drejtuan botës së ëndërruar për të siguruar mirëqenien e munguar. Ikja ishte e përmasave të mëdha, aq sa të konsiderohej e ngjashme me eksodin biblik.
Më 8 gusht 1991 mijëra shqiptarë u nisën nga porti i Durrësit drejt Barit, me anijen e mallrave “Vlora”, e porsakthyer nga Kuba me një ngarkesë kallamsheqeri. Bordi i anijes u tejmbush me burra, gra e fëmijë të cilët prisnin të mësonin fatin e tyre mes dy brigjeve të detit Adriatik. Njerëzit vareshin ku të mundnin, deri edhe tek shtiza e flamurit kuqezi.
Destinacioni i tyre i parë ishte qyteti i Brindizit, ndërsa më pas iu drejtuan Barit. Për shumicën, qëndrimi atje nuk zgjati shumë. Brenda dy javësh u riatdhesuan 17400 shtetas shqiptarë, ndërsa në Itali mbetën rreth 1500 që kishin kërkuar strehim politik.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, kujtoi këtë moment domethenës historik.
Sipas saj ata u bënë simbol i guximit, sakrificës dhe besimit tek e ardhmja.
“Mirënjohje për popullin italian dhe institucionet e vendit fqinj, për familjet e panumërta që hapën dyert e zemrat e tyre, duke dëshmuar solidaritet e humanizëm”, shkruan ajo.
Sako thekson se, sot 35 vjet më pas gjithçka ka ndryshuar.
“Komuniteti shqiptar në Itali është një vlerë e çmuar dhe pjesë e pandashme e jetës ekonomike, shoqërore e kulturore të vendit mik”, shkruan ajo.
Njëkohësisht, shtoi Sako “shumë bashkëkombës janë rikthyer për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë italianë zgjedhin vendin tonë për të jetuar e investuar”.
“Kjo është dëshmia më e bukur e një miqësie që është forcuar me kalimin e viteve. Sot, Shqipëria është një vend modern, në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa partneriteti me Italinë vazhdon të thellohet përmes projekteve, investimeve dhe bashkëpunimit në dobi të qytetarëve tanë. Historia e anijes “Vlora” mbetet një kujtesë e fuqishme se shpresa, solidariteti dhe bashkëpunimi ndërtojnë ura që i rezistojnë kohës”, theksoi ajo. /ATSH/