Ende nuk ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Tek janë numëruar mbi 99 për qind e votave, janë 11 vendvotime nga 2533 që kanë mbetur ende pa u procesuar në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjilani është komuna me më së shumti vendvotime të paprocesuara. Në këtë komunë janë procesuar të dhënat nga 125 prej 129 vendvotimesh – pra katër kanë mbetur të paprocesuara. Nga dy vendvotime të paprocesuara kanë mbetur në Klinë dhe Prizren, ndërsa nga një në Deçan, Leposaviq dhe Pejë.
Nga procesimi i 2522 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.86 për qind të votave, apo 340 mijë e 541 vota. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 183 mijë e 661 vota apo 22.04 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e treta me 17.62 për qind apo 146 mijë e 815 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62 mijë e 111 vota apo 7.45 për qind, si subjekti i fundit që ka siguruar kalimin e pragut prej 5 për qind.
Uebfaqja e KQZ-së që nga nisja e numërimit ka pasur probleme në shfaqjen e numrave. Në mbrëmjen e 9 shkurtit, KQZ-ja njoftoi se të dhënat nuk duhet të merren parasysh për shkak të telasheve me faqen. Në mëngjesin e së hënës, KQZ-ja tha se kjo çështje është rregulluar.
Ndërkohë, të martën në Prishtinë ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë në katër komuna ndërsa numërimi i mbi 84 mijë votave të diasporës do të nisë në fazën pasuese./Koha.net