​Vjen humbja e parë për Giressen, Greqia triumfon ndaj Kosovës

Kosova ka pësuar disfatë nga Greqia me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e dytë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve që u zhvillua të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të përzgjedhurit e Alain Giresse e nisën shumë mirë ndeshjen duke krijuar raste të mira për gol por pa i konkretizuar ato. Mundësitë e lëshuara u ndëshkuan nga skuadra mysafire që gjeti golin në mundësinë e parë kur Bakasetas shënoi për 1:0 në minutën e 35-të dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë “Dardanët” sulmuan dhe e kërkuan golin por sërish ishin të pasuksesshëm.

Në 20 minutat e fundit Kosova mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi nga loja me karton të kuq u përjashtua Fidan Aliti, madje në minutat shtesë nga loja u përjashtua edhe portieri Arjanet Muriç pasi luajti me dorë jashtë zonës së tij.

Në Grupin 2 të Ligës C Kosova ka tri pikë pas dy ndeshjeve dhe ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Irlandës Veriore, ndërsa Greqia ka gjashtë pikë dhe është lidere e grupit.

Read Previous

​59 raste aktive me COVID-19

Read Next

​Kryesia dhe Kuvendi mblidhen sot