Gullit: Rashford mund të jetë transferimi më i mirë i Man United këtë verë
Ka përfunduar me sukses Kampi Nacional 2026, i organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Kampi, i cili u zhvillua nga 10 deri më 14 gusht, mblodhi 25 basketbollistë dhe 25 basketbolliste të rinj, të përzgjedhur pas procesit të grumbullimeve rajonale. Të rinjtë patën mundësinë të punojnë dhe të zhvillohen nën drejtimin e trajnerëve të angazhuar nga FBK-ja.
Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrësit ishin pjesë e një programi intensiv, i cili përfshiu stërvitje, aktivitete edukative dhe aktivitete të tjera të planifikuara, me fokus në zhvillimin teknik, fizik dhe personal të tyre.
Kampi Nacional ishte faza përmbyllëse e projektit të FBK-së për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja. Ky proces paraprakisht përfshiu grumbullime rajonale në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë dhe Prishtinë.
Projekti është pjesë e Planit Strategjik të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku zhvillimi i gjeneratave të reja dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për identifikimin dhe avancimin e talenteve përbëjnë një nga shtyllat kryesore.
Përmes Kampit Nacional, FBK-ja synon që talentet e identifikuara të përcillen dhe të zhvillohen në vazhdimësi, duke krijuar bazën për gjeneratat e ardhshme të basketbollit kosovar.
Basketbollistët dhe basketbollistet e përzgjedhur nga ky proces do të jenë pjesë e përfaqësimit të Kosovës në turneun e FIBA YDF-së, duke vazhduar kështu rrugëtimin e tyre në arenën ndërkombëtare. /KosovaPress/