​Në Taranto sot mbahet Asambleja e ICMG-së, Kosova prezanton përgatitjet për “Prishtina 2030”

Në Taranto të Italisë mbahet sot Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, një takim me rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, e cila po përgatitet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në këtë asamble, ku pritet të zgjidhet presidenti i ri për mandatin e ardhshëm, Kosova do të jetë pjesë aktive e diskutimeve për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare. Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, pritet të raportojë për punën dhe përgatitjet që po bëhen në drejtim të organizimit të “Prishtina 2030”.

Raportimi i Gashanit para përfaqësuesve të komiteteve olimpike dhe drejtuesve të ICMG-së, vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, e cila synon që përmes këtij organizimi të dëshmojë kapacitetet e saj për të mirëpritur një ngjarje të madhe ndërkombëtare sportive.

Për Kosovën, Asambleja e sotme paraqet gjithashtu një mundësi për të informuar drejtuesit e rinj të ICMG- së për progresin e bërë deri më tani dhe për hapat që pritet të ndërmerren në vitet e ardhshme në funksion të përgatitjes së Prishtinës për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. /KosovaPress/

Read Previous

​PDK-ja mblidhet sërish te Qeveria, aksionit i bashkohen edhe deputetët e Aleancës

Read Next

Trump thotë se planifikon të takohet me Kim Jong Un këtë vit