​Mehaj takon zëvendës Sekretaren e Mbrojtjes së ShBA-së, flasin për furnizim me armatim

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u takuan me Zëvendës Sekretaren e Mbrojtjes për Politika, në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sasha Baker. Kështu ka njoftuar Mehaj përmes rrjetit social Facebook.

“Në takim me Zëvendës Sekretaren e Mbrojtjes për Politika në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Sasha Baker, biseduam për progresin e FSK-së, rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e qeverisë në situatën aktuale gjeopolitke, luftën në Ukrainë, për të cilat çështje zonja Baker shprehu vlerësim të lartë për qasjen dhe kontributin e Republikës së Kosovës, sidomos në evakuimin e refugjatëve afganë, dhe gatishmërinë për të trajnuar dhe pranuar refugjatë ukrainas në një situatë aspak të lehtë për Evropën dhe botën në përgjithësi që po përballet me një krizë ekonomike, e shumë më tepër humanitare përballë agresionit të pamëshirshëm rus”, ka shkruar Mehaj.

Ministri Mehaj ka shkruar se kanë biseduar për nevojat që FSK ka sa i përket furnizimit me armatime, si dhe gatishmërinë që si shtet e ushtri kemi për të bashkëpunuar në çdo nivel, ngase zhvillimi i brendshëm por edhe stabiliteti i gjithmbarshëm i shteteve varet nga shkalla e bashkëpunimit.

“Si një shtet që para pak vitesh kemi kaluar një periudhë lufte të tmerrshme dhe dhimbjesh të paharrueshme, e kemi të qartë se sa të vështirë e ka një shtet-autor i krimeve të largohet nga skenarët e zhanrit të njejtë, e se si zgjidhja e vetme që historia të mos përsëritet asnjëherë në asnjë shtet është lidhja e kombeve në BE dhe në NATO”, ka theksuar ai.

Republika e Kosovës pashkëputshëm është e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo shtet anëtar të NATO-s që beson në vlerat demokratike dhe në lirinë e kombeve. Gjithë kjo situatë, qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe përparimi që FSK ka arritur me implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit por edhe qeverisjes qendrore në përgjithësi, bëjnë që shteti i Kosovës të perceptohet si një aleatë i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe shtet kyq në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.

Read Previous

Adrian Mutu vlerëson Kosovën: Përballjet ndaj tyre nuk do të jenë të lehta

Read Next

SHBA: Do të mbrojmë “çdo pëllëmbë” të territorit të NATO-s