Gianni ​Infantino nën presion, FIFA hap rishikimin e qeverisjes

Creator: Henry Romero | Credit: REUTERS

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka propozuar një rishikim të jashtëm dhe të pavarur të mënyrës se si organi qeverisës i futbollit botëror merr vendime për nismat e mëdha strategjike.

Në një letër drejtuar Këshillit të FIFA-s dhe presidentëve të 211 shoqatave anëtare, Infantino tha se do të kërkojë shqyrtimin e kuadrit aktual të qeverisjes dhe rekomandime për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Nisma vjen pas reagimeve të ashpra ndaj një plani të FIFA-s për shitjen e 20 për qind të aksioneve të të drejtave të saj komerciale, përfshirë ato të Kupës së Botës, te investitorët privatë. Plani u tërhoq në korrik pas kundërshtimeve nga disa konfederata dhe kërcënimeve me bojkot.

Infantino pranoi se mënyra se si u bë publik propozimi krijoi shqetësim, duke theksuar se vendimi nuk ishte marrë dhe se bëhej fjalë vetëm për një propozim që do t’i nënshtrohej miratimit të Këshillit dhe shoqatave anëtare.

Rishikimi i propozuar do të shqyrtojë edhe rolet e presidentit, Byrosë, Këshillit dhe Kongresit në vendimmarrjen për çështjet kryesore strategjike. Çdo ndryshim në statutet e FIFA-s do të kërkonte miratimin e Kongresit.

Infantino ka deklaruar gjithashtu se qëndrimet e shoqatave anëtare ndaj propozimeve të ardhshme nuk do të ndikojnë në mënyrën se si FIFA i trajton ato apo në programet e zhvillimit dhe solidaritetit. /KosovaPress/

Read Previous

Nasim Haradinaj – Kurtit: A po thotë jonë bo gabime, hajde Albin na trego si mund t’i mbrojmë ata që i kemi në Hagë

Read Next

Pettifer: Pas Hagës, Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare