​DnV: Zgjedhjet e fundit në Kosovë në përputhje me standardet demokratike

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, vlerëson se zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, megjithatë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votimi i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve.

DnV sot ka publikuar raportin përfundimtar të zgjedhjeve, që përfshin raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve, raportin për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe raportin për monitorimit e mediave.

Eugen Cakolli, nga DnV, tha se dita e zgjedhjeve është organizuar e qetë dhe pa ndonjë incident serioz që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor.

Ai tha se edhe në këto zgjedhje janë vërejtur problematika të ngjashme sikurse në zgjedhjet e mëparshme, votimi me asistencë i cili është evidentuar në shkallë mjaftë të lartë, vështirësi te votuesve për të gjetur emrin nëpër listat e votuesve, si dhe disa lloje të votimit të parregullt.

Sa i përket respektimit të masave kundër përhapjes së pandemisë, Cakolli tha se dita e zgjedhjeve është shoqëruar me një respektim jo të kënaqshëm të këtyre masave si nga ana e komisionerëve ashtu edhe qytetarët.

Cakolli: DnV vlerëson që zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike

“DnV vlerëson që zgjedhjet e mbajtura me 14 shkurt janë zgjedhje që janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. Sidoqoftë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votim i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve, si dhe një dalje të pazakontë të votuesve e cila ka arritur deri në 85 përqind që është dyfishi i mesatares në nivel vendi. Sa i përket pjesëmarrjes qytetare vlen të përmendet që me 48.78 përqind dalja në zgjedhje e votuesve në këto zgjedhje është më e larta në historinë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa vlerë të shtuar procesit i kanë dhënë edhe vet subjektet politike me pranimin e rezultateve të cilat janë shpallur”, tha ai.

Cakolli u shpreh se procesi i numërimit të votave, e në veçanti atyre të kandidatëve të subjekteve politike vijon të mbetet një prej problematikave kryesore të proceseve zgjedhore në Kosovë.

Ai tha se implikimi i personave të dyshuar në vepra penale të falsifikimit dhe të manipulimit të rezultateve zgjedhore që është dëshmuar edhe përmes publikimit të një audio dhe video incizimi e ka zbehur ndjeshëm kredibilitetin e këtij procesi.

Puna në QNR, ai tha se ka qenë përgjithësisht e rregullt, e hapur dhe transparente për publikun, por që rinumërimi i 700 kutive që përbën rreth 30 përqind të numrit të përgjithshëm, sipas tij, shpërfaq edhe një herë politizimin e thellë dhe mungesën e integritetit në mesin e disa komisionerëve dhe stafit të QNR-së.

Punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, DnV e ka vlerësuar si transparente, por që puna e këtij institucioni është karakterizuar me ndërhyre nga akterë të jashtëm, ku ndër të tjera përmendet atë kohë ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani.

Cakolli: Puna e KQZ ka qenë transparente

“Puna e KQZ ka qenë transparente, por ajo çfarë është atipike për këtë proces zgjedhor është polarizimi dhe përplasjet e skajshme që kanë karakterizuar në vazhdimësi punën e KQZ-së, në veçanti në mes anëtarëve të KQZ-së nga radhët e LVV-së dhe kryetares së KQZ-së. Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së në këto zgjedhje janë karakterizuar nga ndërhyrje të cilat kanë ardhur nga akterë të jashtëm, në veçanti nga ushtruesja e detyrës asokohe të presidentit znj.Vjosa Osmani, e cila përmes deklarimeve të saj publike ka cenuar në një formë integritetin dhe pavarësinë e punës së KQZ-së.

Ai tha se kryetarja e KQZ-së si asnjëherë më parë ka qenë target i sulmeve të shumta si nga radhët e subjekteve politike ashtu edhe nga qytetarët.

Përkundër kohës së shkurtër, sipas Cakollit KQZ ka arritur të përmbyllë të gjitha operacionet zgjedhore, por që theksohet se votimi jashtë vendi mbetet një prej hallkave më të ndjeshme të procesit zgjedhor.

Në raport flitet edhe për punën e PZAP dhe të Gjykatës Supreme gjatë këtyre zgjedhjeve, ku Cakolli tha se të njëjtat kanë vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme kanë trajtuar lëndët të cilat u janë adresuar atyre.

PZAP dhe Gjykata Supreme tha se kanë anuluar votat e subjekteve politike të komuniteteve të fituara në zonat me shumicë serbe, ku nuk ka pasur përqendrim demografik të komuniteteve në fjalë. Me këtë veprim, ai tha se është garantuar përfaqësimi i drejtë i vullnetit të komuniteteve duke u bazuar si në normat kushtetuese vendore ashtu edhe në praktikat e mira ndërkombëtare.

Visar Xhambazi, nga DnV ka prezantuar raportin e monitorimit të fushatës, ku ai tha se kanë monitoruar 179 aktivitete të subjekteve politike. Ai tha se subjektet politike kanë pasur më së shumti aktivitete të organizuara në Komunën e Pejës dhe të Prizrenit.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar më së shumti aktivitete zgjedhore apo 58, LDK me 44 aktivitete dhe PDK me 35, AAK me 18 aktivitete, ndërsa partitë tjera kanë më pak se 18 aktivitete të organizuara.

Pjesë e monitorimit ka qenë edhe respektimi i masave anti-COVID, për çka tha se ato nuk janë respektuar fare.

Xhambazi: Partitë politike nuk kanë respektuar asnjë masë anti-COVID

“Në ambiente të mbyllura numri maksimal ka qenë 30, ndërsa në ambiente të hapura numri maksimal i lejuar ka qenë 50. Vërehet një diskrepancë në raportim për faktin se në ambientet e mbyllura pothuajse 78 aktivitete nga 179 sosh nuk kanë respektuar asnjë masë anti-COVID apo të menaxhimit të pandemisë. Ndërsa, në respektimin e masave në ambiente të hapura ky numër është tejet më i vogël apo vetëm 8 raste të cilat nuk kanë respektuar masat”, tha ai.

Xhambazi, u shpreh se pjesëmarrja e grave në fushatë zgjedhore vazhdon të mbetet e ulët, ai tha se sa i përket pjesëmarrjes së përgjithshme të grave ka vetëm 22 përqind të grave në raport me burrat, ndërsa sa i përket folësve gratë kanë qenë folëse vetëm në 27 përqind të rasteve në raport me burrat.

Temat më të përmendura në fushatë zgjedhore, ai tha se kanë qenë zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi dhe arsimi. Ndërsa, tha se gjatë fushatës zgjedhore në 23 përqind të rasteve ka pasur gjuhë të urrejtjes, ku rivalët politik janë quajtur zhvatës dhe tradhtar.

Ndërsa, raportin e monitorimit të mediave e ka prezantuar Mexhide Demolli-Nimani nga DnV, e cila tha se gjatë monitorimit tek televizionet kanë dominuar subjektet e mëdha politike që kanë pasur më shumë hapësirë qoftë në kronikat zgjedhore apo edhe në debatet televizive.

Demolli: Më së shumti mbulueshmëri në kronika zgjedhore ka pasur LDK me 238 minuta

“Nga monitorimi tregon se më së shumti mbulueshmëri tek televizionet në kronika zgjedhore ka pasur LDK me 238 minuta, e ndjekur nga AAK me 228 minuta, LVV 223 minuta, Nisma me 211 minuta, PDK me 209 minuta, Lista Serbe me 57 minuta dhe subjektet e tjera të minoriteteve po edhe partive të vogla shqiptare janë prezantuar në kronika zgjedhore me 49 minuta…Livestream nga portalet kemi monitoruar se sa janë shfrytëzuar faqet e facebook-ut të portaleve të cilat kanë një numër të madh të ndjekësve të tyre nga partitë politike në këtë rast që janë shfrytëzuar edhe këto faqe përveç faqeve të tyre zyrtare për t’i transmetuar, nga monitorimi direkt përmes facebbok-ut prin AAK me 1 mijë e 491 minuta nga 5 portale, duke u pasuar nga LDK me 1 mijë e 393 minuta në 6 portale, Nisma me 1 mijë e 141 në 6 portale, PDK me 1 mijë e 134 minuta në 6 portale, ndërkaq LVV ka vetëm 433 minuta në vetëm 4 portale”, tha ajo.

Eugen Cakolli, ka prezantuar rekomandimet nga ky raport, e që sipas tij kanë si qëllim parësor inicimin e një procesi të reformës zgjedhore.

Cakolli: DnV vlerëson që reforma zgjedhore si proces duhet të jetë një prej prioriteteve kyçe

“DnV vlerëson që reforma zgjedhore si proces duhet të jetë një prej prioriteteve kyçe të spektrit politik në vend, mirëpo që i njëjti duhet të shoqërohet nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe i transparencës duke evituar çfarëdo iniciative apo mundësie që do të cenonte këto dy parime, meqenëse do të përkthehej në një ndryshim të sistemit zgjedhor apo elementeve të tij pa pasur një pajtueshmëri më të gjerë lidhur me këtë proces. DnV vlerëson se ndër elementet kryesore të sistemit zgjedhor që duhet të jenë subjekt i reformimit zgjedhor janë votimi preferencial deri në 5 kandidatë i cili duhet të reduktohet, pragu zgjedhor përkatësisht aplikimi i tij për kategori të ndryshme në këtë rast për koalicione, subjektet politike dhe kandidatët e pavarur i cili duhet të rikategorizohet. Po ashtu, duhet të rishqyrtohet edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit të vendit me qëllim të evitimit të krizave të ndryshme politike”, tha ai.

Në kuadër të elementeve kryesore të sistemit zgjedhor, Cakolli tha se duhet të konsiderohet ndarja e Kosovës në zona zgjedhore në mënyrë që të garantohet një përfaqësim më i drejtë i qytetarëve.

Read Previous

Mënyra ushtarake që ju tregon se si të bini në gjumë për 2 minuta

Read Next

3 metoda efektive që përdorin psikologët kunder stresit