​22 vjet liri, Kosova ende pa ditë të çlirimit

Kanë kaluar 22 vjet nga përfundimi i luftës e 13 vjet nga pavarësia, e Kosova vazhdon të mos ketë ditë të çlirimit.

Ligji për festa zyrtare, 12 qershorin e njeh si ditë memorial, madje nuk e njeh si ditë të çlirimit, por si ditë të paqes.

Historiani Frashër Demaj thotë se kalendarit të festave zyrtare duhet t’i shtohet edhe kjo ditë, e cila siç thotë ai, i hapi Kosovës një perspektivë të re, lirinë e vendit dhe mundësinë për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës në paqe.

Ai thotë se Kosova ka mundësi që t’i heqë disa festa të shënuara, e që pushohet, por që nuk janë të rëndësishme aq fort për popullin dhe shtetin e Kosovës, dhe të zëvendësohen me datat që janë të rëndësishme në kalendarin e zhvillimeve historike dhe politike.

Historiani Demaj flet për rrjedhën e vitit 1999 dhe ngjarjet më të rëndësishme që kulmuan me çlirimin e Kosovës.

Në këtë intervistë për KosovaPress, Demaj flet edhe për ambiciet dashakeqe të Serbisë karshi Kosovës, e të cilat nuk janë ndalur as sot, 22 vjet pas çlirimit.

Ai thotë se Serbia në fokusin e saj politik gjithmonë ka pasur tri qëllime kryesore: që të mos lejojë shkëputjen e Kosovës, që mos të lejojë Kosovën që të funksionojë si shtet normal dhe i treti, ideja që në emër të ruajtjes së monumenteve kulturore të mund të realizojë disa nga qëllimet e saj.

Këtu, Demaj ndalet tek ceremonia fetare e organizuar të enjten nga Kisha Ortodokse serbe, liturgji e cila thotë se ka për qëllim që të shërbejë si karrem për të destabilizuar Kosovën.

Ai apelon institucionet e Kosovës, opozitën por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët që të mos bien në grackën e provokimeve dashakeqe të Serbisë.

Kosova sipas Ligjit për festat zyrtare ka 11 festa zyrtare. Ato janë, viti i ri, 1 dhe 2 janari, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, dita e parë, Bajrami i Vogël, dita e parë, Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor, Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar, Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve dhe Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve./KosovaPress

Read Previous

BE miraton harmonizimin e testeve COVID-19

Read Next

SHBA vazhdon të mundë Kinën në garën e Inteligjencës Artificiale