Protestuesit gjuajnë me gurë Ministrinë e Arsimit në Tiranë, nuk kursehen as policët
Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve sot në Tiranë është shoqëruar me tensione gjatë marshimit në disa zona të kryeqytetit.
Protestuesit kanë djegur kosha plehrash dhe kanë shkulur kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari, ndërsa pas lëvizjes në akse të ndryshme të qytetit janë rikthyer sërish pranë Ministrisë së Arsimit, ku kanë sulmuar me gurë godinën e institucionit, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të policisë.
Deri në këto momente nuk ka pasur konfrontime fizike, ndonëse më herët raportohet për disa shoqërime të protestuesve nga policia, raporton RTSH.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në grupe të vogla në sheshin “Skënderbej” dhe më pas iu drejtuan Ministrisë së Arsimit, duke ardhur nga drejtime të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë protestës, ata bllokuan edhe rrugën “Myslym Shyri”, ku u ulën në asfalt, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Më pas, marshimi vijoi në disa zona të Tiranës, përfshirë drejtimin e zonës së “21 Dhjetorit”. Gjatë lëvizjes u regjistruan edhe incidente, ku protestuesit dogjën kosha plehrash dhe shkulën kangjella metalike që ndajnë rrugën nga trotuari.
Krahas studentëve dhe gjimnazistëve, protestës i janë bashkuar edhe qytetarë të grup-moshave të ndryshme, si dhe prindër të nxënësve. Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku të rinjtë kanë dalë në rrugë për të shprehur kërkesat e tyre.
Kjo është dita e katërt e protestës së gjimnazistëve dhe studentëve, të cilët vijojnë mobilizimin në Tiranë dhe në qytete të tjera të venditduke kërkuar kushte më të mira për arsimin dhe largimin e qeverisë. /RTSH/