Trajneri i xhudos, Driton Kuka, në një postim në faqen e tij zyrtare e ka cilësuar si “ngecje të madhe” situatën aktuale në sportin olimpik në Kosovë, duke kritikuar mungesën e diskutimit për normat olimpike në federatat olimpike.
“E çka po shoh për mua është ngecje e madhe, marrë parasysh që as që flitet shumë për norma Olimpike në federata Olimpike!”, ka shkruar Kuka.
Ai ka bërë të ditur se ekipi i xhudos tash e disa muaj ka nisur ciklin olimpik kualifikues për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, ndërsa beson shumë në kualifikimin e Distria Krasniqit, Laura Fazliut dhe Akil Gjakovës.
Kuka ka shpresuar që Kosova të sigurojë edhe një normë tjetër olimpike, duke përmendur Shpat Zekën, për të cilin ka thënë se do të kishte gjasa reale, nëse do të përkushtohej.
Ndëkohe, Kuka përmend edhe çështjen e përkushtimit nga sportistët për rezultate.
“Qëllimet arrihen me punë e përkushtim e jo me fjalë e improvizime”, ka theksuar ai.
Kuka ka kërkuar që Komiteti Olimpik i Kosovës ta ketë fokusin te Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, duke e konsideruar këtë prioritet të Kosovës në sport.
Ai po ashtu ka kërkuar përgjegjësi nga sportistët, veçanërisht nga ata që përkrahen përmes Bursave Olimpike. /KosovaPress/