AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
John Stewart Ducan, dëshmitari i tretë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, tha të hënën para Dhomave të Specializuara se nuk kishte parë asnjëherë që Thaçi të jepte urdhra.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.
“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua.
Ai u përgjigj me “jo” kur u pyet nëse Thaçi ishte kryekomandant apo komandant i përgjithshëm i UÇK-së.
Mbrojtja: A mendoni ju se në realitet Hashim Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së?
Duncan: Jo, sepse nuk kam parë asnjë dëshmi, asnjë provë të kësaj gjëje.
Mbrojtja: Nëse do të kishte qenë në një pozicion të tillë, çfarë provash do kishit parë ju. Mbase pyetja që do të bëja është, kush është një person, çfarë detyra ka një person që është komandant i përgjithshëm?
Duncan: Përkufizimet janë dhënë në fakt, por nuk janë përkufizime të cilat njihen apo pranohen nga persona si puna ime. Atëherë komandanti i përgjithshëm lidhet kryesisht me komandimin dhe kontrollin. Komandimi ka të bëjë me të drejtën e lëshimit të urdhrave, direktivave, ndërkohë që kontrollimi në vetvete ka aftësinë për ta kryer këtë komandim dhe për të siguruar që urdhrat e dhënë apo udhëzimet e dhëna realizohen në mënyrë efektive.
“Mënyra se si silleshin ata me të [Thaçin] gjatë negociatave ishte tillë që ata i trajtonin atë si krahun politik, që kishte një lloj autoriteti por jo si dikë për të cilin kishin respekt ushtarak, ishte shumë e dukshme kjo. Ata e respektonin gjeneral Çekun sepse ai ishte oficer ushtarak me profesion, dhe atë e shihnin si profesionist por kur mbërriti Hashim Thaçi kishte një lloj tensioni sikurse ndodh zakonisht në atë kohë, ishte tension tipik që ndodh kur mbërrin një person që është politikan dhe kur në biseda janë të përfshirë edhe oficerë ushtarak. Mendoj që ata e kanë parë Thaçin si një politikan të rëndësishëm për kauzën e tyre por nuk e kanë parë si komandant ushtarak, dhe kjo është përshtypja ime lidhur me sjelljen që ata kishin ndaj Thaçit”, tha ai.
Ish-këshilltari politik i gjeneralit Wesley Clark theksoi se në luftë jepen tituj të zmadhuar që nuk përkojnë me realitetin.
“Sipas mendimit tim, bëhej fjalë për një titull të zmadhuar dhe nga përvoja ime personale më kujtohet që në lëvizjet revolucionare afrikane, që kanë ndodhur në një vend ku jam rritur, për shembull guerilëve ju dhanë emra të tillë si gjeneralë, dhe në Francë madje ku kam jetuar për disa vite, liderët e rezistencës mund te thoshin që ky është batalioni X apo Y, por në fakt nuk bëhej fjalë fare për një batalion, ekzistonte tendenca për zmadhim e titujve, kështu që ky është diçka që nuk e mora fare seriozisht dhe nuk u befasova fare, nuk e di nëse mbase ka ardhur nga modeli amerikan që presidenti ka titullin komandant kryesor, por në realitet situata ishte e ndryshme, sipas meje ishte një ekzagjerim, një zmadhim, një titull grandioz me një emër të madh që i jepej dikujt por nuk përkonte me realitetin”, tha ai. /KosovaPress/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.