Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje të qartë te Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet që mund të eskalojnë më tutje tensionet në rajon.
Në një konferencë për media, Stoltenberg është shprehur se rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, teksa ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mirëbesim në këtë proces.
“Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor muajt e fundit. Mesazhi im është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të eskalojnë tutje tensionet në rajon. Kur vjen puna për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, dhe inkurajoj Prishtinën dhe Beogradin që të angazhohen në mirëbesim në dialog”, ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg ka përsëritur po ashtu se si rezultat i sulmeve dhe dhunës që është parë vjet në Kosovë NATO-ja ka shtuar praninë në Kosovë.
“Si rezultat i sulmeve që kemi parë në Kosovë vitin e fundit, NATO ka rritur prezencën. NATO është aty për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë komunitetet dhe kemi shtuar qindra trupa që të sigurohemi që të përmbushim mandatin e marrë nga Kombet e Bashkuara”, ka përfunduar Stoltelberg.
Për situatën në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor është diskutuar të mërkurën edhe në Komisionin për mbrojtje dhe siguri të Parlamentit Evropian, ku pyetjeve të deputetëve u është përgjigjur Mirçea Geoana, zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Ndër temat që nxisin shqetësimin e NATO-s, ai ka përmendur situatën në Kosovë dhe atë në Bosnje e Hercegovinë, por edhe përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset politike, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, që janë edhe anëtare të NATO-s dhe vende kandidate për anëtarësim në BE.
“Ajo që po ndodh me dezinformimin, si dhe përpjekjet për ndikim në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, është shqetësuese për ne. Po shohim përpjekje të Rusisë për këtë. Qëllimi që të pengohen forcat pro- perëndimore në këtë vend“, ka thënë ai.
/GazetaSinjali/