Kosova mori pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit, këtë vit, në mesin e 40 vendeve nga e gjithë bota. Ngjarja u mbajt në qytetin Tartu të Estonisë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili ndjeki garat nga afër.
Në njoftimin e lëshuar, thuhet se ministri Peci pati gjithashtu një takim të frytshëm me ministren e Punëve Regjionale dhe Bujqësisë të Estonisë, Piret Hartman. Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për bashkëpunimin dypalësh në fushën e bujqësisë, shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e politikave për mbështetje të bujqësisë dhe sektorëve të saj, si dhe çështje të tjera me interes politik.
“Kosova ka nevojë për përvojën estoneze në digjitalizim dhe integrimin e plotë të tij në prodhimtari. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë. Dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe përballen me sfida të natyrës së njëjtë, përfshirë edhe ato të sigurisë,” tha Peci.
Në fund të takimit, të dy ministrat ranë dakord të formalizojnë bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive me nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit. /tvsyrivision/