Kryeministri Edi Rama foli sot gjatë podkastit “Flasim”, me profesorin Selami Xhepa edhe për New Growth Plan të Bashkimit Evropian apo siç njihet ndryshe, Plani i ri i Rritjes që përfshin mbështetjen ekonomike për kryerjen e reformave për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.
“Ne kemi bërë një kapërcim epokal, por jemi të rrethuar nga konkurrentët më të fortë dhe njerëzit kanë gjithë të drejtën të thonë që unë shkoj në Itali, Gjermani jam si ata, pse Shqipëria nuk është si ato!
Është një sfidë që nuk i shmangesh dot! Unë besoj që fati është që me BE-në si pikë referimi dhe mbështetjeje, mund të bëhet një kapërcim i madh. Por, te ndryshimi duhet të kemi parasysh një gjë e kemi arritur me shumë pak mbështetje të jashtme, po të llogarisësh mbështetjen që kanë pasur Polonia, Hungaria, Greqia, Çekia etj”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri Rama u ndal në një studim për vendet e reja që u futën në BE pas vitit 1990 dhe sipas kryeministrit ishin miliarda euro të futura në kapacitet e tyre të brendshme.
“New Growth Plan është një plan, për të cilin jam shumë krenar. Ne kemi qenë promotorë të saj. Ne nuk do bëjmë më takime bilaterale, thjesht e vetëm ato të zakonshmet, por unë kam kërkuar që në çdo takim bilateral kush vjen këtu, ose kudo ku shkojmë ne, unë dua një laptop dhe për të prezantuar disa të dhëna të thjeshta të trajtimit të disa vendeve që janë në BE, Kroacia, Sllovenia dhe nesh që duam të anëtarësohemi, pra si kontribut i BE për frymë.
Të ardhurat për frymë midis vendeve kandidate dhe vendeve anëtare ishin të tilla që ata shokoheshin. Ne do i bëjmë të gjitha këto reforma se është si ajo “veza pulën, pula vezën”. Për t’i bërë të gjitha këto reforma ne duhet të kemi pak më shumë mbështetje”, tha Rama.
“Na kanë ndihmuar patjetër, por dhe në këtë ka ndikuar pozitivisht edhe agresioni në Ukrainë”, vijoi Rama. /ATSH/