Këshilli i Bashkimit Europian miratoi zyrtarisht hyrjen e Kroacisë në Eurozonë, duke krijuar kushtet që monedha Euro të përdoret si monedhë zyrtare në vend, më 1 janar 2023.
Njoftimi i Këshillit shënoi fazën përfundimtare të procesit të miratimit që nisi kur Parlamenti Europian votoi me shumicë dërmuese për të pranuar hyrjen e Kroacisë në Eurozonë, muajin e kaluar.
Por rrugëtimi i vendit ballkanik për t’u bërë anëtari i 20-të i bashkimit monetar, nuk ka qenë i lehtë.
Në kohën e anëtarësimit të Kroacisë në bllok, në vitin 2013, Banka Qendrore Europiane (BQE) priste që vendi t’i bashkohej Mekanizmit Europian të Kursit të Këmbimit, i njohur si ERM-II, deri në vitin 2016, i ndjekur nga miratimi i plotë i euros në vitin 2019.
Por anëtarësimi në ERM-II nuk u arrit deri në mesin e vitit 2019, kur kuna kroate u fiksua në një normë prej 7,53450 kuna për 1 euro.
Arsyet e kësaj vonese kishin të bënin kryesisht me kohën që iu desh qeverisë kroate për të përputhur legjislacionin e saj me kërkesat e BE-së dhe gjendjen e ekonomisë së vendit.
Pavarësisht vonesave, Kroacia kishte kaluar tashmë nëpër një proces “euroizimi”.
Kufijtë e saj me vendet e Eurozonës, Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe industria kyçe e turizmit, kanë bërë që për vite me radhë, shumë biznese kroate të mësohen të pranojnë euron dhe nuk është e pazakontë që vendasit të kryejnë transaksione në euro.
Një “vijë e argjendtë” për euron
Në një periudhë që nuk ka qenë aspak e mirë për euron, hyrja e Kroacisë në Eurozonë ka të ngjarë të shihet si “një vijë e argjendtë” nga udhëheqësit politikë në Bashkimin Europian.
Tensionet e vazhdueshme me Rusinë dhe afrimi i recesionit kanë dëmtuar performancën e euros në tregjet e këmbimit valutor, dhe monedha e përbashkët ra ndaj Dollarit këtë javë në nivelin më të ulët në 20 vjet, ku 1 euro u këmbye me vetëm 0,9998 dollarë.
Në sfondin e këtyre ndryshimeve krahas dollarit, BQE-ja njoftoi këtë muaj se do të rriste normën e interesit nga -0.5%, në -0.25%.
Megjithatë, ndërkohë që konsumatorët e BE-së kanë mbajtur barrën e një prej inflacioneve më të rëndë që ka përjetuar rajoni ndër vite, eksperimenti tetëvjeçar i BQE-së me normat negative të interesit, mund të marrë fund së shpejti, pasi autoritetet kërkojnë të forcojnë Euron dhe të ulin koston e importeve.
Por sipas zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, gjendja nuk është aq e zymtë sa ç’duket. Në një ceremoni që festonte konfirmimin përfundimtar të anëtarësimit të Kroacisë në Eurozonë, Dombrovskis u tha gazetarëve se euro mbetet një “monedhë globale tërheqëse, elastike dhe e suksesshme” dhe simbol i forcës dhe bashkimit.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kaq sfiduese, kur agresioni rus kundër Ukrainës vazhdon të dërgojë valë shoku në mbarë botën”, shtoi ai.
Lajmi mund të shërbejë si një simbol i forcës dhe bashkimit, duke nxitur integrimin e mëtejshëm politik midis Kroacisë dhe fqinjëve të saj në BE. Aktualisht, vendi ende nuk i është bashkuar zonës Shengen, por presidenti kroat Zoran Milanovic, ka shprehur interesin për ta bërë këtë.
BE heq pengesën e fundit që Kroacia të miratojë monedhën Euro
Bashkimi Europian (BE) ka hequr pengesat e fundit për Kroacinë për miratimin e monedhës euro, duke shënuar zgjerimin e parë të bllokut të monedhës, në pothuajse një dekadë.
Ministrat e Financave të BE-së, miratuan tre ligje të lidhura, të cilat do t’i mundësojnë Kroacisë të bëhet anëtarja e 20-të e Eurozonës, më 1 janar.
Lituania ishte vendi i fundit që miratoi monedhën në vitin 2015.
Në Bruksel, ministri kroat i Financave, Zdravko Maric, u tha gazetarëve: “Kjo është një ditë e madhe për Kroacinë, madje historike”.
Nëpërmjet lidhjeve më të ngushta financiare me anëtarët e tjerë të bllokut valutor dhe autoritetin monetar të Bankës Qendrore Europiane, miratimi i Euros i mundëson Kroacisë përfitime ekonomike.
Ai gjithashtu ofron shpërblime politike, pasi u siguron anëtarëve një ndikim më të madh në tryezat kryesore vendimmarrëse të BE-së.
Nënkryetari ekzekutiv i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis, tha se pranimi i Kroacisë në bllokun monetar, është “një moment i rëndësishëm për Bashkimin Europian” dhe “konfirmon se euro është një monedhë globale tërheqëse, elastike dhe e suksesshme”.
Ndërsa elitat politike kroate e konsiderojnë miratimin e euros si një sukses, qytetarët e zakonshëm, që tashmë po përballen me inflacion dyshifror, janë të shqetësuar për rritjen e mëtejshme të çmimeve.
Banorja e Zagrebit, Visnja Gacic, tha: “Ata po na ngushëllojnë vazhdimisht në radio, duke thënë se çmimet do të jenë më të lira, por unë nuk e besoj. Kam një mik në Slloveni dhe kur hyri euro, çmimet kapën majat”.
Përpara se të miratojë Euron, një vend duhet të plotësojë një sërë kushtesh ekonomike që lidhen me inflacionin e ulët, financat publike të shëndosha, një kurs këmbimi të qëndrueshëm dhe kostot e kufizuara të huamarrjes.
“Është një klub i mrekullueshëm për të qenë anëtar, por kërkon përkushtim, angazhim, respektim të vazhdueshëm të rregullave dhe unë e di se këtë mund ta presim nga Kroacia. Së bashku, ne jemi më të fortë”, tha presidentja e Bankës.
/Monitor.al/