Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tashmë planin e aktiviteteve për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës.
Në mbledhjen e së hënës, KQZ mori vendim për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.
Sipas vendimit të KQZ-së, aktivitetet kryesore për organizimin e këtij procesi, i referohen afatit prej 44 ditësh dhe janë si në vijim:
Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill 2024;
Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;
Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;
Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve bëhet më 17 mars 2024;
Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill 2024;
Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 16 mars 2024;
Periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës fillon më 18 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill 2024;
Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
Certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se 9 prill 2024;
Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024;
Aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill. dhe përfundon më 18 prill 2024;
Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 euro.
A do të rikandidojnë kryetarët aktualë?
Vetëm dy ditë pa i mbushur një vit prej kur janë zgjedhur, për shkarkimin e katër kryetarëve të komunës së veriut, më 21 prill do të organizohet proces i votimit. Kryetarët thonë se punuan aq sa mundën, por nuk besojnë se do të kandidojnë sërish.https://2a5261154fb98f447bd6356ebe7562e6.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html
Partitë politike ende nuk janë deklaruar nëse do të kenë kandidatë apo kush do të jenë ata.
Vështrimi nga dritarja ishte forma e tij e vetme për të parë, se çfarë po ngjante jashtë objektit të komunës për gati një vit.
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi edhe të hënën po vështronte nga dritarja qytetin verior që e udhëheq.
Por, pasi peticioni u nënshkrua nga 20 për qind të qytetarëve të komunës së tij, Hetemi është i bindur që do të mblidhet edhe numri i votave për ta shkarkuar.
I pari i Leposaviqit, i cili 7 muajt e parë të mandatit i kaloi i ngujuar në komunë, tregon nëse do të rikandidojë sërish për postin e kryetarit.
“Jo nuk besoj, nuk besoj që do të kandidoj më, është e kotë”, ka thënë ai.
Për dallim nga ai, lideri lokal i Zveçanit shprehet skeptik, se do të arrihen votat për shkarkimin e tij.
Por, nëse kjo arrihet, Ilir Peci shprehet i gatshëm të rikandidojë për pozitën e kryetarit.
“Për 20 përqindëshin e kemi ditë, sa i përket 50 për qind plus 1, absolut nuk ka shanse me u mbledh, nëse llogariten vetëm qytetarët e Republikës së Kosovës, nëse vijnë dhe votojnë sikur herëve tjera nga Serbia mund të shkojmë edhe qind për qind, por nëse llogariten vetëm qytetarët e Kosovës, të Komunës së Zveçanit nuk ka mundësi me u arrit 50 plus 1 vota. Nëse partia është e interesuar që ne prapë te jemi kandidat, të na përkrahë – pra jeni i gatshëm të rikandidoni- besoj se po”, ka thënë Peci.
RTK provoi ta marrë një përgjigje nga Lista Serbe rreth pjesëmarrjes së saj në rast se organizohen zgjedhjet, por kontakti me ta ishte i pamundur. Sipas Udhëzimit Administrativ, nëse 50 për qind +1 të qytetarëve në listën e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai shkarkohet nga pozita.
Më 21 prill votimi për shkarkim të kryetarëve në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) javën që lamë pas ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok dhe Mitrovicë të Veriut.
Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së i bëri të ditur të dhënat e detajuara për katër komunat në veri lidhur me nënshkrimet, gjegjësisht peticionet.
“Marr parasysh kohën e nevojshme për përgatitjen procedurale dhe organizmin teknik Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizmin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill 2024 për të cilin nevojitet vendim për caktimin e kësaj date si datë për mbajtjen e procesit të votimit për largimin e kryetarëve”, tha Ahmetaj.
KQZ më pas në mbledhjen e javës së kaluar me 8 vota për dhe 2 abstenim miratoi datën 21 prill për votim për shkarkim të kryetarëve në veri. /Telegrafi/