Kosova e Shqipëria testojnë aftësitë reaguese gjatë operacioneve speciale

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se specialët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përfshirë njësinë e ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Kosovës, kanë testuar aftësitë reaguese dhe ndërvepruese gjatë operacioneve speciale, nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën (SOCEUR).

“Gjatë stërvitjes ValorShield24, trupat specialë të njësive tona simuluan skenarë të ndryshëm, përfshirë operacione të zbulimit taktik, operacione psikologjike, analizimin e të dhënave të zbulimit, përdorimin e dronëve gjatë fazave të zhvillimit të operacioneve për goditjen e objekteve, si dhe parandalimin e veprimeve të grupeve taktike sulmuese”, thuhet në njoftim.

FSK-ja – në tranzicion për t’u bërë ushtri – edhe më herët është stërvitur me forcat shqiptare në mënyrë që t’i arrijë kapacitetet operacionale. E kjo vjen në një kohën e ngritjes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009, ndërsa Kosova është e vendosur të bëhet pjesë e aleanës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara (SHBA). Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit në këtë fushë është mbështetja e Shqipërisë për objektivat euroatlantike të Kosovës. /Albanianpost.com

Read Previous

​The Times: Shqipëria, destinacioni i pazbuluar i Mesdheut

Read Next

Osmani takon Popen