Izrael, dy ministra kërcënojnë me dorëheqje, nëse pranohet plani amerikan

Disa zyrtarë izraelitë thonë se janë të gatshëm të pranojnë propozimin amerikan për armëpushim në Gazë, por anëtarë të lartë të kabinetit qeveritar të Netanyah-ut kanë kërcënuar se do të japin dorëheqje në rast se Tel-Avivi e pranon planin.

Disa zyrtarë izraelitë, të afërt me kryeministrin Bunjamin Netanyahu, kanë thënë se vendi i tyre nuk e konsideron propozimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për armëpushim në Rripin e Gazës, si “marrëveshje të mirë”, por shtuan se, megjithatë, janë të gatshëm ta pranojnë.

Propozimi amerikan, përfshin armëpushim gjashtëjavor gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen nga të gjitha pjesët e populluara të Rripit të Gazës, pas kësaj periudhe, pritet lirimi i pengjeve, arritja e paqes afatgjate dhe fillimi i zbatimit të planit masiv për rindërtimin e Gazës.

Plani, megjithatë, nuk përfshinë kërkesën më të rëndësishme të Izraelit, e cila është largimi i Hamasit nga Rripi i Gazës, edhe pse kjo kërkesë nuk paraqitet në marrëveshje. Burime të ndryshme në Tel Aviv kanë thënë se qeveria është e gatshme ta pranojë.

Por ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich , dy politikanë djathtistë me përkrahje të madhe në disa rrethe, kanë thënë se do të japin dorëheqje nga posti dhe se do të tentojnë të rrëzojnë qeverinë në rast që Netanyah-u e pranon planin.

 Ndërkohë, operacionet e forcave Izraelite në Rripin e Gazës po vazhdojnë pa ndërprerje./rtklive

Read Previous

Vdes në QKUK një i ri nga Gjakova

Read Next

Anija kozmike kineze ulet me sukses në anën e largët të Hënës