Gërvalla i kundërpërgjigjet Borrellit: A po bën BE thirrje që të mos ndëshkohen ata që sulmuan NATO’n?

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i është kundërpërgjigjur Shefit të Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, i cili reagoi për arrestimet në veri, të cilat i cilësoi si “jashtëgjyqësore”.

Kryediplomatja e ka shpërndarë postimin e Borrell dhe ka pyetur nëse Bashkimi Evropian po bën thirrje që të mos ndëshkohen ata që sulmuan pjesëtarët e NATO’s, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?”, ka pyetur Gërvalla.

Ajo ka thënë se Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin ndaj ushtarëve të NATO’s më 29 maj në Zveçan dhe se arrestimi i tij është bërë në bazë të Kodit të Prcoedurës Penale të Kosovës dhe se s’ka asgjë “jashtëgjyqësore”.

“Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi u bë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Edhe Kryeministri Albin Kurti është treguar i ashpër me Shefin e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kurti ka thënë se “përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme” vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato.

Ai i ka bërë thirrje Kryediplomatit të BE’së që të konfirmojë burimet e tij dhe të pres informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës, para se të deklarohet, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Për stërvitjen e FSK’së, Kurti ka thënë se ky është aktivitet i përvitshëm dhe se KFOR’i ka qenë “plotësisht i informuar”.

Sa i përket arrestimit të sotëm në veri, Kurti ka thënë se “si kryeministër i një shteti demokratik kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve”.

Ndryshe, Borrell ka thënë se është tejet i shqetësuar me arrestimet e serbëve në veri si dhe me marshimin e FSK-së. Madje, këto arrestime, Shefi për Diplomaci i Bashkimit Evropian i ka cilësuar si “jashtëgjyqësore”.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia.”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Borrell ka thënë se përshkallëzimi po bëhet i rrezikshëm, derisa ka shtuar se nuk do ta tolerojnë këtë.

”Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.”, shktoi ai.

Read Previous

Ministri Sveçla tregon se e kujt është vetura ku u gjet armatimi në afërsi të Zveçanit

Read Next

EUROPOL çmonton rrjetin shqiptar të trafikut të drogës, 35 të arrestuar e 1 mln euro të sekuestruara