Trajneri i Chelsea-t, Enzo Maresca, ka paralajmëruar Jadon Sanchon për standardet që priten prej tij pas transferimit nga Manchester United.
Sancho mbërriti në Londrën perëndimore muajin e kaluar në një marrëveshje huazimi, me një opsion për transferim të përhershëm verën e ardhshme për një tarifë midis 20 milion £ (23 milion € / 26 milion dollarë) dhe 25 milion £ (29 milion € / 32 milion dollarë). Kjo shifër është dukshëm më e ulët se 73 milion £ që United pagoi Borussia Dortmund për të, vetëm tre vjet më parë. Nëse Sancho arrin të përmbushë potencialin e tij në Stamford Bridge, do të ishte një “vjedhje” për Chelsean.
Pavarësisht se dikur konsiderohej si një nga talentet më premtues në futbollin evropian, periudha e Sanchos te Manchester United u karakterizua nga mospërputhje dhe performanca nën pritshmëritë. Huazimi i tij te Borussia Dortmund sezonin e kaluar i dha shenja të rikthimit, duke përfshirë edhe një paraqitje në finalen e Ligës së Kampionëve. Tani, me fillimin e karrierës së tij te Chelsea, Sancho përballet me sfidën për të rigjetur formën dhe reputacionin e tij.
Maresca ka theksuar se ai sheh potencial te anësori 24-vjeçar, por pret që Sancho të punojë fort për të siguruar një vend titullari në ekip.
“Unë e dua Jadon, dhe e dua skuadrën që kemi. Arsyeja pse ai është këtu është sepse unë besoj te ai, përndryshe nuk do të ishte pjesë e ekipit,” tha Maresca. “Para se të vinte, pata një bisedë me të dhe i thashë qartë: nëse nuk punon siç duhet, nuk do të kesh vend.”
Maresca ka nënvizuar rëndësinë e angazhimit dhe disiplinës. “Nëse vjen dhe punon në mënyrën që ne kërkojmë, do të jemi të lumtur. Por nëse nuk je i përkushtuar, atëherë është më mirë të mos vish.”
Sancho pati një përplasje publike me menaxherin e United, Erik ten Hag, në shtatorin e kaluar, pas së cilës minutat e tij në fushë u limituan. E vetmja paraqitje për klubin pas incidentit erdhi në Community Shield kundër Manchester City, ku ai hyri si zëvendësues, por nuk pati ndikim dhe humbi një penallti.
Maresca, megjithatë, nuk dëshiron të fokusohet te e kaluara: “Unë nuk e di çfarë ndodhi me Erikun, por mund ta gjykoj vetëm në bazë të kohës që ka kaluar me ne, dhe deri tani ka qenë perfekt. Nuk e konsideroj Jadon një rrezik, por si një lojtar që mund të na ndihmojë shumë, veçanërisht në fazën e fundit të sulmit, ku kemi nevojë për më shumë cilësi dhe saktësi.”
Ndërsa Sancho përshtatet me jetën te Chelsea, ai do të kërkojë të provojë se mund të performojë ende në nivelin më të lartë. Ai pritet të debutojë për “Blutë” të shtunën, kur Chelsea do të përballet me Bournemouth në një ndeshje të Premier League. /Goal.com/