Pritja do të jetë e gjatë. Mediat britanike raportojnë se fati i Armando Brojës, sipas zhvillimeve aktuale, pritet të vendoset në momentet e fundit të “Dritares së Transferimeve.”
Pra, shumë afër orës 11 të mbrëmjes së 30 gushtit, sipas kohës britanike. Situata duket e komplikuar, edhe pse në garë është përfshirë një emër i ri.
Ipswich Town është rikthyer në Premier Ligë pas 22 vitesh dhe synon të jetë gati për sfidën.
Broja është padyshim një zgjidhje e mirë, ndonëse pengesa kryesore mbetet kërkesa financiare e Chelsea-t.
Blutë e Londrës kërkojnë 30 milionë paund për kartonin e sulmuesit shqiptar, një shifër që edhe në tregun anglez konsiderohet e lartë për një lojtar që ka shënuar 8 gola në 57 ndeshje në Premier Ligë, ka kaluar një dëmtim të rëndë 18 muaj më parë, dhe që nuk u aktivizua thuajse fare te Fulhami në fazën e dytë të sezonit të kaluar.
Trajneri i Chelsea-t, Enzo Maresca, nuk e ka 22-vjeçarin në planet e tij, dhe madje i ka hequr edhe fanellën me numrin 18.
Përveç Ipswich-it, për Brojën interesohen Evertoni, Wolves, Milani dhe Stuttgart, ndaj londinezët kërkojnë të përfitojnë sa më shumë prej tij.
E sigurt duket vetëm që shqiptari do të largohet nga klubi ku u formua si futbollist. /abcnews.al