Ambasadori iranian takohet me Muskun në përpjekje të uljes së tensioneve me Trumpin

Irani ka arritur ta sigurojë një takim me Elon Muskun pas disa përpjekjesh për të lehtësuar tensionet me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sipas një zyrtari amerikan.

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, ka takuar Muskun në New York. Trump i ka dhënë një pozitë këtij të fundit, duke e bërë udhëheqës të Departamentit për Efiçiencë Qeveritare, raportoi AP. 

Zyrtari amerikan ka thënë se takimi mbuloi disa tema, veçanërisht programin bërthamor të Iranit, mbështetjen për grupet anti-Izrael në Lindjen e Mesme dhe perspektivat për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

Por, siç ka thënë ai, nuk ka pasur ndonjë vendim prej ndonjërës palë që ka dalë nga takimi. Zyrtari ka shtuar se iranianët kërkuan takimin me Muskun. Megjithatë, ekipi i Trumpi nuk e ka konfirmuar e as mohuar këtë takim zyrtarisht.

Zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se Irani ka qenë kundër një mandati të dytë të Trumpit, pasi ai është parë si akter për rritjen e tensioneve mes Washingtonit dhe Teheranit. Administrata Trump i pati dhënë fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, i pati rivendosur sanksione dhe pati urdhëruar vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani./koha.net/

Read Previous

Google Maps fshin gjithçka

Read Next

Ndikimi i premtimeve të Trumpit për mbyllje kufiri dhe dëbime masive