Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, është shprehur i habitur se pse në Kosovë është diskutuar deklarata e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se Kosova dhe Serbia janë dakorduar për hapjen e arkivave shtetërore. Lajçak tha se zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se nuk ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiv shtetëror dhe se deklarata e tij është keqinterpretuar.
Lajçak pas takimit të dytë që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, tha se nuk ka një datë të caktuar për takimin e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se kjo do të mund të vendoset pasi që ai të përfundojë vizitën edhe në Beograd.
“Nuk pati ndonjë diskutim të veçantë për arkivat. Unë u befasova kur pashë se si diskutimi i ndezur, dhe u ndoq këtu në shoqërinë tuaj, në mediat tuaja, ajo që u tha, ishte thjesht për të rikonfirmuar atë që u tha shumë herë më parë, se nuk ka pengesa nga asnjëra palë për qasje në arkiva, kjo ishte deklaruar tashmë vitin e kaluar, dhe u rikonfirmua disa herë më parë, dhe Bislimi tha gjithashtu se nuk ka arkiva të UÇK-së, ekziston vetëm arkivi shtetëror, kështu që nuk kishte asgjë befasuese, asnjë marrëveshje e veçantë, që disi u keqinterpretua në shoqërinë tuaj këtu”, tha ai.
Rreth takimit të ardhshëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, data e të cilit ende nuk është caktuar, Mirsolav Lajçak tha se për këtë do të diskutojë edhe gjatë vizitës së tij që do të zhvillojë në Serbi.
Ai tha se është e rrezikshme të flitet se kur do të ketë marrëveshje përfundimtare, derisa theksoi se është e rëndësishme që procesi i dialogut po ecën përpara.
“Ne kemi diskutuar datat e mundshme për takimet, por duhet t’i diskutoj ato në Beograd para se të mund të shpallim ndonjë gjë. Për marrëveshjen, është e rrezikshme të flitet për datat dhe oraret. Për të dyja palët është e rëndësishme që të angazhohen në këtë diskutim, pasi që është një proces shumë i ndjeshëm, serioz, por procesi po ecën përpara dhe kjo është e rëndësishme”, tha ai.
Diplomati sllovak ka refuzuar të komentojë deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti rreth vendosjes së reciprocitetit me Serbinë.
“Unë nuk do të komentoj deklarata e askujt. Ne jemi këtu për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri ka detyra kushtetuese, dhe nuk mund të bëj asnjë koment publik për asnjë deklaratë”, tha ai.
Lajçak nuk është përgjigjur edhe nëse ka një draft-marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ju dëshironi të dini shumë, ajo që është e rëndësishme është që procesi të vazhdojë”, tha Lajçak.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Moroslav Lajçak, ka dhënë detaje edhe për takimet gjatë këtyre tri ditëve në Kosovë, ku është takuar me të gjitha partitë politike opozitare, komunitetin e biznesit, studentët, mediat dhe bashkësinë ndërkombëtare.
I pyetur se pse është takuar dy herë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Lajçak u shpreh se ka qenë një dakordim mes tyre që të bëjë një përmbledhje të vizitës së tij në Kosovë.
Lajçak: Me Kurtin diskutuam për hapat e ardhshëm
Video
“Me kryeministrin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi, të bënim analiza të procesit të deritanishëm dhe të diskutonim hapat e ardhshëm, përfshirë përgatitjet për takimet e ardhshme. Me opozitën ishte e rëndësishme që ata në të kaluarën luanin një rol në dialog dhe ata e kuptojnë rëndësinë e dialogut për Kosovën. Ata bënë deklarata shumë të qarta se do të mbështesin procesin dhe Qeverinë në përfshirjen në dialog. Komuniteti i biznesit e kupton se sa i rëndësishëm është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës, ekonominë e Kosovës, të rinjtë janë gjithashtu shumë të qartë në lidhje me këtë, kështu që prandaj e kam konsideroj këtë vizitë në kohë të duhur, dhe shumë të rëndësishëm. Unë takohem me Bislimin dhe Kurtin edhe në vende të tjera, por natyrisht që për mua të vij këtu rregullisht dhe të ndiej pulsin e shoqërisë është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga e mërkura, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, atë të LDK-së Lumir Abdixhiku, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi dhe me studentët.