Kosova
Shkronjat

Wizz Air, kompania më e madhe ajrore me çmime të ulëta në Evropën Qendrore dhe Lindore, ka njoftuar për fillimin e linjës së re ajrore nga Prishtina për në Londër.

Duke filluar nga data 24 qeshor, shërbimi do të operohet dy herë në javë, ditëve të marte dhe të shtune.

Udhëtarët që planifikojnë pushimet e tyre ose një largim për fundjavë në këtë destinacion drithërues,tashmë mund të bëjnë rezervimet e biletave të tyre në faqen e internetit wizzair.com me një çmim prej vetëm €39.99*/£34.99*.

Kryeshefi ekzekutiv i LIMAK Kosova Int’l Airport e ka vlerësuar gatishmërinë e Wizzair për të qenë me shërbime të transportit ajror në Aeroportin e Prishtinës.

“Gatishmëria e Wizzair për të qenë prezent me shërbime të transportit ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për kompaninë Limak është shumë e mirëseardhur, sidomos kur kemi në konsideratë skemën jashtëzakonisht të ulët për çmimet e biletave të fluturimeve. Ne zotohemi të jemi përherë në dispozicion dhe të japim maksimumin e mundshëm në uljen e çmimeve të shërbimeve të aeroportit dhe ofrimin e produkteve nxitëse me qëllim që pasagjerëve të cilët dëshirojnë të fluturojnë drejt dhe nga ANP “Adem Jashari” tu ofrohen zgjedhje sa më atraktive dhe të përshtatshme për fluturime”, u shpreh Firat Kokturk.

Kurse Sorina Ratz, Menaxhere e komunikimeve e Wizz Air ka thënë kompania është shumë e emocionuar me arritjet e kësaj kompanie, duke theksuar se çmimet e volitshme dhe orari gjithashtu, do të plotësojnë kërkesat e pasagjerëve.

“Njoftimi i sotëm thekson përkushtimin tonë për të ofruar mundësi udhëtimi me çmim të ulët dhe shërbim të jashtëzakonshëm në bordin e aeroplanit.  Ne gjithashtu i gëzohemi edhe bashkëpunimit me Aeroportin e Prishtinës”, u shpreh ajo.

Kompania Wizz Air, është  kompani me çmime tejet të mira dhe që operon me një flotë prej 77 aeroplanësh.