Rajoni
Shkronjat

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli së bashku me zv.ministrin e Brendshëm, Stefan Çipa morën pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Vjenë së bashku me Takimin e Ministrave të Brendshëm të Forumit të Salzburgut, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

 Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i ideve mbi sfidat aktuale lidhur me migracionin, “Western Balkans Route” (Korridori i Ballkanit Perëndimor), gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta për menaxhimin e kësaj çështjeje. 

Ministrja e Mbrojtjes gjatë fjalës së saj në këtë takim nënvizoi rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje me prioritet sepse emigracioni i paligjshëm, siç u shpreh ajo “po bëhet çdo ditë e më shume pjesë e axhendës më të madhe ndërshtetërore mes nesh dhe do te vijojë te mbetet një nga sfidat e së ardhmes.” Ministrja Kodheli i njohu të pranishmit me masat e marra nga Shqipëria nëse do t’i duhej të përballej direkt me krizën e emigrantëve, por edhe me angazhimin konkret tashmë të vendit tonë për të përballuar këtë fenomen. “Shqipëria merr pjesë me një anije patrullimi me aktivitetin detar të NATO-s në Egje, i cili tashmë është duke bashkëpunuar me operacionin e BE-së "Sofia", Agjencinë Kufijve të Jashtëm të BE-së (FRONTEX), Greqinë dhe Turqinë në përpjekjet për të ndaluar krizën e emigrantëve dhe refugjatëve.”

Ministrja Kodheli gjithashtu solli në vëmendje edhe punën që është bërë për të ngritur në Shqipëri një Qendër Ekselence të NATO-s, për të trajtuar fenomenin e luftëtarëve të huaj, e cila sipas saj, do t’i shërbejë të gjithë rajonit. Gjatë Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Takimit të Ministrave të Brendshëm të Forumit të Salzburgut u diskutuan gjithashtu çështje që kanë të bëjnë me kërkesat për azil nga vendet të cilat nuk janë në BE, si dhe rikthimi i emigrantëve që nuk kanë leje për të qëndruar në Evropë.