Gjakova
Shkronjat

Biblioteka publike “Ibrahim Rugova” në Gjakovë ka shënuar ditën botërore të librit nën moton “Dhuro dhe ti së paku një libër”.

Këtë manifestim e nisi poeti Agim Byci, duke lexuar një poezi për lexuesit që kishin ardhur sot në këtë bibliotekë. E fjalën hyrëse si cdo herë tjetër, e ka marrë drejtori i këtij institucioni, Engjëll Berisha.

Për nder të kësaj dite, qytetarë nga mosha të ndryshme erdhën për të dhuruar së paku një libër për bibliotekën. E kryetari i komunës së Gjakovës së bashku me drejtorë komunalë në këtë ditë të shënuar dhuruan libra në vlerë prej 1300 eurosh. E në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Gjini ka thënë se nga viti i ardhshëm kjo bibliotekë do të ketë fondin e saj të veqantë.

Drejtoresha për kulturë, rini, dhe sport në Gjakovë, Saranda Hyseni, ka thënë se një iniciativë e tillë për dhurimin e librave nga zyrtarë komunalë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Për nder të 23 prillit, ditës botërore të librit, brenda kësaj biblioteke janë lexuar poezi dhe ese nga lexues të shumtë. E ky institucion në këtë datë të shënuar edhe ka dhuruar libra për lexuesit më të suksesshëm.

Organizatorët kanë falënderuar të gjithë ata që dhuruan libra për bibliotekën “Ibrahim Rugova”, duke kontribuar kështu në shtimin e fondit të librave./Tv Syri Vision/