Gjakova
Shkronjat

Kusari - Lila : Harmonia ndërfetare, një pasuri që duhet kultivuar në vazhdimësi

Kosova aktualisht është e përfshirë në një situatë jo të mirë sa i përket ngritjes së radikalizmit fetar, por, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për komunën e Gjakovës, komunë e cila qëndron më mirë në këtë drejtim.

Ky konstatim ka dalë nga një tryezë e mbajtur sot në Gjakovë, organizuar nga Iniciativa e Femrës Kosovare (IFK) dhe me pjesëmarrjen e kryetares së komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila dhe Ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka thënë se në komunën e Gjakovës edhe ato pak raste të bashkëngjitjes së organizatave terroriste, janë raste të izoluara e të cilat nuk vijnë nga njerëz të lidhur tradicionalisht me fenë, por nga njerëz që për përfitime të caktuara e kanë kryer veprimin në fjalë.

Megjithatë, kryetarja Kusari – Lila ka shtuar se kjo nuk duhet të krijojë vetëkënaqësi por përkundrazi duhet të nxisë angazhim të shtuar që situate të jetë edhe më e mirë në të ardhmen. Sipas saj, duhet punuar në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme, si dhe kultivimin e vlerës së paqes e të pranimit pa kushte të njëri – tjetrit, vlera këto që duhet të kultivohen nëpër secilën familje por edhe nëpër shkolla.

Nga ana tjetër, edhe ambasadori Delawei pasi ka përgëzuar përfaqësuesit e të të gjihtë mekanizmave në komunën e Gjakovës, ka thënë se harmonia ndër fetare në këtë komunë është një pasuri e cila duhet të shtohet edhe në të ardhmen.

 

Ai ka thënë se janë institucionet kosovare ato që e bartin barrën kryesore për ta krijuar një perspektivë e një vend më të mirë për të rinjtë e vendit, si njëra prej mënyrave më të mira për largimin e tyre nga rruga dhe nga ekstremizmi fetar.