Kulturë
Shkronjat

Kosova do ta ketë të vështirë anëtarësimin në UNESCO, thotë ambasadori serb në këtë organizatë.

Ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq, ka thënë se Kosovës i duhen dy të tretat e votave në mënyrë që të bëhet anëtare e UNESCO-s dhe se do ta ketë të vështirë t’i mbledh ato vota të nevojshme.

Tanaskoviq, duke folur në një emision në televizionin publik të Serbisë, ka thënë se 29 shtete e kanë njohur Kosovë por se janë edhe po aq shtete që nuk e kanë njohur atë nga Këshilli Ekzekutiv.

“Megjithatë, nëse Kosova do të kalonte në Këshillin Ekzekutiv, ai vendim do të shkonte në konferencën e përgjithshëm ku Kosova, si jo-anëtare e OKB-së, duhet të nxjerrë një shumicë të përgjithshme prej dy të tretave, që nuk është aspak e lehtë, siç është dëshmuar edhe më 2015”, ka thënë Tanaskoviq, transmeton Koha.net.

Por, ai thotë se është e vështirë të spekulohet për rezultatin e një kërkese të re të mundshme të Prishtinës për anëtarësim në UNESCO.

Tanaskoviq thekson se Serbia duhet të punojë që t’i bindë shtetet të cilat akoma janë të pavendosura.