Deklarata e Edi Ramës nxit reagime në Luginë

. Postuar në Vendore

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, rreth bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë ngjallur reagimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

Ndonëse konsiderohen politike dhe duke pasur parasysh qëndrimi për mos ndryshim të kufijve, megjithatë tërhiqet vëmendja për shqiptarët jashtë këtyre dy shteteve amë.

Nënkryetari i Komunës së Preshevës, Skender Destani, duke vlerësuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, si politike, vlerëson se nuk ka të keqe në shprehjen e vullnetit kombëtar, por thotë se një gjë e tillë është e pamundur në rrethanat e tanishme, raporton RTK.

E për Valon Arifin, nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut të Luginës, kjo deklaratë përjashton shqiptarët jashtë dy shteteve amë, ndërkohë që vlerësohet politike dhe tendencë për barazim verbal me deklaratat e kryeministrit serb Vuçiq, në raport me Bashkimin Evropian.

Para bashkimit kombëtar, sipas Skënder Destanit, nënkryetar i Komunës së Preshevës, Kosova por edhe Shqipëria do të duhej të kujdeseshin që shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, t'u siguronin më shumë të drejta dhe një zhvillim ekonomik.

Ndërkohë thotë që bashkimin kombëtar duhet ta presim në Bashkimin Evropian.